Metodologjia për Vendosjen e Tarifave për shërbimin e furnizimit me ujë dhe largimin e përpunimin e ujërave të ndotura përcakton parimet dhe procedurat për strukturën e tarifave për këto shërbime. Kjo metodologji krijon një lidhje direkte ndërmjet ndryshimit të tarifave dhe performancës së shoqërive, në mënyrë që të rritet eficenca në ofrimin e shërbimeve, rritjen e efikasitetit menaxhues dhe përmirësimin e shërbimit ndaj konsumatorit. Si rregull, tarifat mund të ndryshohen vetëm një herë në vit, me kërkesë të operatorit të licencuar, ose me rekomandim të ERRU-së. Një operator mund të aplikojë për ndryshimin e tarifave edhe për një interval kohor 2-5 vjet, nëse ka një plan biznesi afatmesëm profesional të miratuar duke promovuar planifikimin e hershëm.

Përcaktimi i tarifave sipas kësaj metodologjie përfshin shqyrtimin e kostove, për t’i siguruar konsumatorët që ata të paguajnë vetëm kosto të justifikuara. Gjithashtu ndryshimi i tarifave për ERRU-në përfshin si pjesë të këtij procesi edhe analizën e progresit në përmirësimin e performancës teknike dhe financiare, e cila do të çojë në rritjen e mbulimit të kostove. Ne i vlerësojmë propozimet për ndryshim tarife, në funksion të objektivave të performancës që duhet të arrijnë.
Në të gjitha rastet procesi i miratimit të tarifave duhet të jetë transparent. Procesi formal i ndryshimit të tarifave parashikon mbajtjen e Seancave Dëgjimore, që ka për qëllim përfshirjen e publikut të interesuar në këtë proces.

Për më tepër, Ju mund të shkarkoni:
Vendimin e KKRR nr. 539, datë 30/12/2021 “Për miratimin e Metodologjisë dhe Procedurës për Miratimin e Tarifave të Shërbimeve Ujësjellës Kanalizime“.