Monitorimi i Performancës
ERRU monitoron performancën e operatorëve ujësjellës-kanalizime për të garantuar përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe për të parë progresin që ata bëjnë për të përmirësuar shërbimet. Ne duam që operatorët të jenë të përgjegjshëm për shërbimet që ata ofrojnë, kështu që monitorimi i performancës së tyre përbën një rol shumë të rëndësishëm në përpjekjet tona për rritjen e transparencës në sektor.

Një rregullim i mirë i sektorit ka nevojë për informacion të besueshëm. Nëse duam të mbrojmë konsumatorët duke promovuar efiçencën dhe përmirësimet në dhënien e shërbimeve apo nëse duam të mbrojmë të ardhmen afatgjatë të shërbimeve tona ujësjellës kanalizime duke nxitur investimet e duhura dhe duke ndihmuar  shoqëritë që të arrijnë qëndrueshmërinë financiare - ne duhet ta njohim mirë sektorin për të marrë vendimet e duhura. Rezultatet e monitorimit të performancës dhe analizimi i të dhënave furnizojnë para së gjithash dy procese rregullatore kyçe: rregullimin e tarifave dhe raportimin e performancës.

Monitorimi i Performancës për Rregullimin e Tarifave

Monitorimi na jep mundësi që të bëjmë një vlerësim korrekt të perfomancës së çdo operatori dhe të vendosim objektiva sfiduese, por realiste, që marrin parasysh kapacitetet aktuale. Arritjet maten sipas Treguesve Kyç të Performancës. Ne përdorim këtë set të standardizuar treguesish për të gjithë sektorin, objektivat e performancës i përshtaten çdo operatori, pasi ne kërkojmë që të nxisim përmirësimet si për operatorët e dobët, ashtu edhe për ata që kanë rezultate të mira. Përmbushja e objektivave është thelbësore për operatorët që kërkojnë ndryshim tarifash, pasi atyre u duhet të demostrojnë një performancë të kënaqshme para miratimit të çfarëdolloj kërkese për ndryshim tarifash.

Raportimi mbi Performancën

çdo vit, performanca operacionale, financiare dhe e shërbimit për klientin të operatorit i nënshtrohet mbikëqyrjes publike kur ne publikojmë Raportin tonë të Performancës. Në çdo raport, ne shqyrtojmë perfomancën e operatorëve individualë dhe të krahasuar me atë të operatorëve të tjerë, duke vënë në dukje si shoqëritë me performancën më të mirë, ashtu edhe ato me performancën më të dobët në vend. Kjo është gjithashtu edhe një mundësi që ne të reflektojmë mbi qëllimet strategjike të sektorit, tendencat aktuale dhe praktikën më të mirë në Shqipëri.

Përmes Raportit tonë të Performancës, vetë operatorët mund të vlerësojnë perfomancën e tyre duke e krahasuar me atë të operatorëve të tjerë të këtij shërbimi që operojnë në mjedise të ngjashme dhe të dallojnë kështu pikat e tyre të forta dhe të dobëta e të mësojnë nga praktikat më efiçente ose efikase operacionale dhe menaxhuese që përdoren në vende të tjera. 

Dhënia e mundësisë gjithë aktorëve të interesuar, duke përfshirë edhe konsumatorët, që të shohin progresin e arritur në sektorin e ujësjellës kanalizime dhe të vlerësojnë performancën e operatorit të tyre lokal përbën edhe një stimul të fuqishëm për përpjekjet e operatorëve për përsosmëri në ofrimin e shërbimit. Ne besojmë se drejtuesit e ndërmarrjeve do të preferonin t'i shihnin shoqëritë e tyre mes më të mirave dhe sigurisht jo midis më të dobëtave, në çdo raport pasardhës.

Të Dhënat për Monitorimin e Performancës

Për të vlerësuar performancën e operatorëve, ne aktualisht shfrytëzojmë të dhënat e siguruara nga vetë operatorët, si dhe bazën e të dhënave të Njësisë së Monitorimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizime në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit. Meqenëse kërkesat tona për të dhëna shkojnë përtej të dhënave që mblidhen normalisht nga Njësia e Monitorimit, ne kërkojmë nga operatorët informacione të tjera më të detajuara, sidomos sa i përket procesit të ndryshimit të tarifave.  Në bazë të ligjit ERRU ka të drejtën të bëjë inspektime në terren për verifikimin e saktësisë së të dhënave të ofruara nga operatorët.

Ne jemi të vetëdijshëm për faktin se analizat tona të të dhënave sasiore të monitorimit të performancës mund të mos na paraqesin gjithmonë tablonë e plotë. Ne synojmë që t'i vendosim këto rezultate në kontekstin e jetës reale, e cila është edhe arsyeja pse ne po mendojmë të marrim parasysh informacione të tjera cilësore në qasjen tonë monitoruese, si për shembull vlerësimet e mbledhura në Seancat e Dëgjimore me publikun dhe përmes ankesave të konsumatorëve.